Gazetari Arlind Imeri ka ngritur padi për shpifje ndaj kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, pasi ky i fundit e quajti atë “spiun të Serbisë” dhe “UDB-ash” gjatë një seance të Kuvendit Komunal.
Lajmin për ngritjen e padisë e ka bërë të ditur vetë Imeri, përmes një postimi, ku ka njoftuar se padinë e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë-Kosovë.
Imeri ka kërkuar që gjykata ta trajtojë rastin me prioritet, duke pretenduar se deklaratat e kryetarit kanë vënë në rrezik sigurinë e tij fizike.
“Prebrezës tani do t’i duhet që para gjykatës t’i paraqesë të gjitha provat që ka se unë kam shërbyer në UDB-në serbe”, ka shkruar Imeri.
Postimi i Imerit:
Ndërkaq, gjatë një seance të Kuvendit Komunal, Valon Prebreza e kishte quajtur Imerin “spiun të Serbisë”, “UDB-ash” dhe “Leptir”.
“Ma i sulmumi në Kosovë jam unë, pikërisht prej gazetarëve të thirrur si gazetarë, e që është fatkeqësi qysh ka asambleist këtu të partisë respektuese që del edhe e mbron një të ashtuquajtur gazetar, që po na del që është spiun i Serbisë, UDB-ash, Leptir”, kishte deklaruar Prebreza.









