Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme deri më 30 shtator, përmes të cilës u ndalohet deputetëve të ndërmarrin çfarëdo veprimi, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, e cila erdhi pas kërkesës së Listës Serbe.
VV e ka konsideruar këtë vendim në kundërshtim me funksionalizimin e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, thuhet në reagimin e VV-së.
Sipas tyre, çdokush do të pyeste “me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkese të Listës Serbe?”.
“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit”.
Kjo, vlerësojnë ata, “nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës”.
“Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.