Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se ka ndërprerë të gjitha angazhimet për krijimin e institucioneve pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i të parit të partisë.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, deklaroi Abdixhiku, disa ditë pasi që u takua me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të biseduar pikërisht për formimin e institucioneve.
Të mërkurën, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, dhe nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, dorëzuan te Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së nënshkrimet e delegatëve që po kërkojnë thirrjen e Kuvendit të partisë për shkarkimin e Abdixhikut.
Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, Abdixhiku theksoi se “nuk do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme që unë të vazhdoja të negocioja në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë, është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë sime”.
Abdixhiku u shpreh i gatshëm për votëbesim në Kuvendin e LDK-së, për të cilin tha se e ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Ferati, që të fillojë procedurat për mbajtjen e Kuvendit.
“Ndonëse plot 207 delegatë të tjerë nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme, në respekt të plotë të statutit dhe të vullnetit të një të tretës së delegatëve tanë… kam autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm që të nis menjëherë procedurat e menjëhershme për mbajtjen e këtij Kuvendi”, pohoi ai.
Pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve, kreu i LDK-së deklaroi se Kuvendi do të caktohet “pa asnjë vonesë data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit”.
Pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit e treta me rreth 17 për qind, apo 18 deputetë, disa degë të LDK-së dhe figura qendrore të kësaj partie, i kërkuan Abdixhikut dorëheqjen, por ai bëri të qartë se nuk e ka ndërmend largimin nga drejtimi i partisë.









