Fehim Sali, i dyshuari për spiunazh, ka pranuar se ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA dhe se kishte kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.
Prokuroria Speciale ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj tij.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se nga provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ishte rekrutuar nga BIA.
Sipas Prokurorisë, ai kishte ofruar informacione për shërbimin serb, në dëm të interesave të Kosovës.
“Ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq”, ka deklaruar prokurori Kodraliu.
Ai tha se vetë i pandehuri, gjatë procedurës për caktimin e paraburgimit, ka deklaruar se ishte rekrutuar dhe kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
Ndërkohë, gjatë një bastisjeje të zhvilluar të mërkurën, Policia ka sekuestruar telefona dhe një shumë parash, për të cilat Prokuroria dyshon se përbëjnë dobi pasurore të përfituar nga veprimtaria e dyshuar kriminale.
Kodraliu bëri të ditur se Sali është hetuar për më shumë se një vit.
“Ndaj tij kemi zbatuar masat e veçanta hetimore”, tha ai, duke shtuar se gjatë hetimeve janë evidentuar kontakte të tij me zyrtarë vendorë dhe autoritete të Serbisë.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria Speciale pritet të vendosë edhe për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.









