Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka pranuar se operatori  elektroenergjetik që operon në katër komunat veriore, Elektrosever, rrymën po e blen nga Serbia. Në një konferencë për media, ajo tha se nuk do të ndërhyhet në këtë çështje pasi që kjo kompani është si fryt i një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.

“Nuk kemi pasur asnjë indikacion, asnjë informatë që ndonjë kompani e Kosovës po tregton me kompani serbe. Një përjashtim është këtu, është furnizuesi që furnizon në komunat veriore që është themeluar në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, i cili sipas informatave tona merr energji nga Serbia. Unë çfarë kam gjetur është një vlerë 712 mijë euro, por nuk është se kam bërë hulumtim të detajuar për të”, ka thënë Rizvanolli.

Në mbledhjen e mbajtur këtë të hënë më 16 nëntor, Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin me energji elektrike me të gjithë operatorët ekonomikë nga apo që janë të lidhur me Serbinë.