Arsyetime për riparimin e vagonëve të trenëve në Serbi ka vazhduar të lëshojë në opinion Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Kjo e fundit, në një video të publikuar në Facebook, ka hedhur fajin tek operatori ekonomik fitues i tenderit, “Profitech”, duke thënë se autoriteti kontraktues, në këtë rast “Trainkos”, s’mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve.

“Trainkos ka shpallur tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve në të cilin ka aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e ka fituar tenderin. Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi”, thotë Rizvanolli.

Rizvanolli më tej vazhdon duke thënë se “operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët”. Pra, siç thotë Rizvanolli duke cituar kompaninë “Profitech”, riparimi i vagonëve mund të bëhej vetëm në Serbi.

“Megjithatë, Trainkos do të bëjë një vlerësim të pavarur vetë për të parë nëse vagonët mund të riparohen në ndonjë shtet tjetër, dhe në rast që kjo është e mundur, do të ndërmarrë hapat për ta adresuar këtë shqetësim”, shton.

Kontrata me kompaninë “Profitech” për riparimin e vagonëve të trenit nga ana e Trainkos ishte nënshkruar në maj të vitit 2024.

Ndonëse ishte parashikuar vlerë 388 mijë euro, e njëjta kishte përfunduar në 423 mijë.

Vagonët ishin riparuar më pas në Serbi, në qytetin e Zrenjanin.