Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në Bruksel për këngën nacionaliste serbe që u interpretua në prag të Forumit të Këshillit Evropian, duke e cilësuar si një ngjarje që nuk duhej të kalonte në heshtje.
Rama ka thënë se nuk e di nëse interpretimi i këngës ishte i qëllimshëm apo rezultat i injorancës, por ka kundërshtuar ashpër faktin që ajo u prezantua me titullin “Meloditë e bukura të unitetit”.
“Nuk e di nëse ishte e qëllimshme apo rezultat i injorancës apo faktit se një këngë nacionaliste pa shije u interpretua këtu në prag të këtij forumi, në të kundërtën e gjithçkaje që përfaqëson, dhe për t’ia shtuar plagës edhe fyerjen, u interpretua nën titullin e bukur ‘Meloditë e unitetit’”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se kjo ngjarje nuk i lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por lidhet edhe me nevojën që të mos lejohet kalimi në heshtje i ngjarjeve që rikthejnë të kaluarën.
“Nuk e lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, apo kombit shqiptar, apo qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën”, ka thënë Rama.
Ndërkohë, deri më tani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka reaguar lidhur me interpretimin e kësaj kënge.









