Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të premten ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).
Sanksionimi i GJNP-së erdhi vetëm disa orë pasi që njëra nga ish-gjyqtaret e saj fitoi çmimin Nobel për Paqe.
GJNP-ja, siç raporton Reuters, e dënoi këtë veprim si një “sulm ndaj sundimit të ligjit dhe vetë themeleve të rendit juridik ndërkombëtar”, duke u bërë thirrje 125 shteteve anëtare që të ndërmarrin veprime për ta mbrojtur atë.
“Gjykata nuk mund të qëndrojë e vetme. Fati i saj tani qëndron edhe në duart e shteteve që e krijuan atë”, thuhet në një deklaratë të gjykatës. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e një institucioni të vetëm, por me ruajtjen e rendit ndërkombëtar të mbështetur në sundimin e ligjit. Historia do ta gjykojë këtë moment”.
Administrata e Donald Trump-it ka qenë prej kohësh kritike ndaj kësaj gjykate, e themeluar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Më herët, administrata e Trump-it ka vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të saj. Masa e së premtes shkon shumë më larg, duke mundësuar ndëshkimin e kompanive që ofrojnë shërbime për vetë gjykatën.
“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Ndërkombëtare Penale që të ndjekë penalisht amerikanët”, deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë të publikuar fillimisht nga Reuters.
“Prandaj, sot Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ne do t’i ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë jashtë kontrollit, duke ia ndërprerë burimet dhe duke ia paralizuar aftësinë për të funksionuar”.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sanksionet, duke paraparë fillimisht një periudhë gjashtëmujore tranzitore, si dhe disa përjashtime që do të lejonin transaksione të caktuara për shërbimet e telekomunikacionit, softuerët, pagesat e pensioneve dhe transaksionet që lidhen me personat e ndaluar.
Rubio tha se sanksionet ishin hartuar në mënyrë që gjykata dhe shtetet anëtare të saj të kishin mundësi t’i adresonin shqetësimet e SHBA-së. Ai shtoi se masat do të përshtateshin nëse kërkesat amerikane nuk përmbusheshin.
Gjykata ka marrë më parë mbështetje nga shtetet anëtare, ku përfshihen të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Selia e saj ndodhet në Holandë, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, vazhdon shkrimi i Reuters.
Çmimi Nobel për Paqen, i ndarë disa orë më herët për juristen nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, e cila ishte pjesë e Dhomës së Apelit të GJNP-së nga viti 2003 deri më 2008, Reuters shkruan se u përshkrua shprehimisht nga komiteti i çmimit si një gjest mbështetjeje për gjykata të tilla, në një kohë kur “gjyqtarët dhe institucionet e së drejtës ndërkombëtare po përballen me sulme politike”.
“Një sistem juridik ndërkombëtar, në të cilin kriminelët e luftës mbahen përgjegjës dhe viktimat e abuzimeve marrin drejtësi, është parakusht për një botë paqësore”, deklaroi komiteti i çmimit.
Sanksionet amerikane zakonisht ua ndalojnë të gjitha kompanive me bazë në SHBA bashkëpunimin me një organizatë të sanksionuar. Kjo i detyron bankat të mbyllin llogaritë, kompanitë e sigurimeve të ndërpresin mbulimin dhe kompanitë e softuerëve të ndalin bashkëpunimin.
Gjatë mandatit të tij të parë, administrata Trump kishte vendosur sanksione të synuara ndaj zyrtarëve të gjykatës, të cilat u hoqën gjatë presidencës së Joe Biden. Uashingtoni njoftoi sanksione të reja vetëm disa ditë pasi Trump u rikthye në detyrë, në janar të vitit 2025.
Në deklaratën e tij, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara i kishin shtyrë sanksionet me shpresën se GJNP-ja dhe shtetet palë të Statutit të Romës, dokumentit themelues të gjykatës, do t’i adresonin shqetësimet amerikane, por ato kishin dështuar ta bënin këtë.
“Ose GJNP-ja do t’i japë fund kërcënimeve të saj, ose ne do t’i japim fund GJNP-së. Ne presim që aleatët tanë, shumë prej të cilëve janë pjesë e GJNP-së dhe mbështeten te ushtarakët amerikanë për mbrojtjen e tyre, ta vënë gjykatën nën kontroll”, deklaroi Rubio.









