Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se në historinë e Kuvendit të Kosovës “ka ndodhur diçka e paprecedent”, meqë kryesia e Kuvendit nuk ka arritur që të pajtohet për rendin e ditës lidhur me rezolutën për mbrojtjen e viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Nga Lëvizje Vetëvendosje, siç tha ajo, nuk u pajtuan që kjo pikë të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës në seancën e ardhshme parlamentare.

“Pati një rezistencë për mua të paarsyeshme edhe të pashpjegueshme nga ana e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje që kjo pikë të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës dhe miratimi i rendit të ditës tani i mbeti seancës”, ka thënë Çitaku pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Çitaku potencoi se nuk do të heqin dorë nga miratimi i rezolutës dhe se do të punojnë me të gjitha grupet parlamentare që Kuvendit “t’i prezantojmë një rezolutë dhe që do të kërkojnë nga seanca që ta trajtojë si pikë të parë të rendit të ditës”. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme ky Kuvend se sa trajtimi i kësaj teme me seriozitet me përgjegjësi e unitet.”.

“Kujtesë nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohemi ne si shoqëri si institucione si shtet. Ne kemi synuar edhe në seancën e kaluar dhe njëjtë vepruam edhe sot në kryesinë e Kuvendit që deputetëve të zgjedhur të iu sjellim për miratim një tekst të dakorduar mes grupeve parlamentare”.

“Përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Kosovës do t’i kontaktojnë grupet parlamentare për të dhënë kontributin e tyre në mënyrë që në Kuvend të dalim të bashkuar dhe një rezolutë të tillë ta votojmë me unanimitet”, shtoi ajo.

Kjo çështje, Çitaku theksoi se nuk ka qenë asnjëherë politike për ta.