Lakmia e madhe për pozitën e presidentes dhe për privilegjet që vijnë me drejtimin e këtij institucioni e detyruan Vjosa Osmanin të bëjë atë që kishte thënë se s’e bën më: të kthehet në partinë që dikur e braktisi, me gjasë po për privilegje.
Se s’po mund të heqë dorë nga të mirat që i ofron pozita, tregon edhe kjo e-mail që e ka siguruar VOX Kosova, ku Osmani kërkon eskortën e Policisë së Kosovës edhe për tri vjet të tjera, por jo veç për veten, por edhe për burrin dhe vajzat.
Ajo këtë kërkesë e ka bërë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për caktimin ose jo të mbrojtjes së afërt, duke e arsyetuar me “kërcënime me jetë që kanë mbetur të patrajtuara”, “kërcënime nga serbë”, e aty përfshihet edhe “nxitja e urrejtjes që po bëhet kohëve të fundit”, që me shumë gjasë i është referuar kësaj gjuhe.
“Propagandës që na i shan edhe njerëzit në varr”, tha Vjosa Osmani më 10 maj, 2026.
Osmani është e mësuar të jetojë në bollëk.
Me shtëpinë në lagjen më të shtrenjtë në Kosovë, 6 policë dhe dy vetura të blinduara për t’i dërguar vajzat e presidentes në qendër shopingu, largimi i tyre nga shkolla publike vetëm pse kundërmonin tualetet, dhe regjistrimi në shkollën private po ashtu më të shtrenjtë në Kosovë.
Po të pyetet, ajo me gjasë do të thoshte se kjo është një sakrificë e madhe që po e bën për vendin, por sakrifica të tilla me kënaqësi do t’i “duronte” secili.









