Ish-Ministrja, Rozeta Hajdari, as nuk e dinte, e as nuk ishte interesuar se me çka merren kompanitë që përmes sekserit të Vetëvendosjes, Ridvan Muharremi, ishin kontraktuar për sjelljen e rezervave shtetërore në Kosovë. Edhe më tragjike, injoranca e ministres aso kohe (2022), ishte se paratë tashmë ishin dhënë, siç thotë aktakuza, “100 për qind në formë avanci”, e Rozeta Hajdari s’kishte asnjë ide për veprimtarinë e tyre.

PJESË NGA AKTAKUZA:

Komunikimet e publikuara nga “Paparaci” tregojnë se vetëm kur ishte evidentuar mungesa e mallit për të cilin ishin dhënë paratë, ajo pyeste “Me çka merret firma e Hamza Yatallay?”. I përgjigjej Hafiz Gara, që atë kohë ishte drejtor në Departamentin e Rezervave Shtetërore, duke i thënë se firma merrej “me Turizëm dhe ndërtim”.  Këtu, reagimi i ministres, çuditërisht ishte shumë i relaksuar. “Jo mire”, shkruante ajo, duke pyetur më tutje duke vazhduar të pyesë se “te kush e ka ble grurin, te cila firmë në Ukrainë”. Por, për këtë s’kishte informacione.

KOMUNIKIMET:

Sipas aktakuzës që ka siguruar VOX Kosova, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në vitin 2022, kishte lidhur kontratë bazë me kompaninë “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Turqi, për blerjen e grurit në sasi prej 10 mijë tonë, me çmim 4 milionë e 834 mijë euro. Të njëjtës kompani, ia kishte dhënë edhe 295 mijë euro të tjera për transport të grurit, ndonëse në kontratën fillestare përfshihej edhe transporti i mallit. Por, pavarësisht milionave të dhëna, në Kosovë kishin ardhur 60 tonë grurë më pak se sasia e parapaguar.

Tutje, Ministria kishte lidhur kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP ZO.O” me seli në Poloni për blerjen e vajit në sasi 200 mijë litra dhe 120 mijë killogramë sheqer, me çmim 276 mijë euro. As vaji, as sheqeri s’kishin ardhur kurrë në Kosovë.