Një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rezervat shtetërore nuk e ka penguar Rozeta Hajdarin që të marrë votat për t’u bërë deputete.
Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka marrë 20 mijë e 430 vota, duke u renditur si e 49-ta në listën prej 57 deputetëve sa ka fituar Vetëvendosje.

Rozeta Hajdari akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një aferë që i ka shkaktuar rreth tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit. Kompani turke dhe polake ishin kontraktuar me procedura të kundërligjshme, ndërsa malli i porositur – mielli, vaji dhe sheqeri – nuk kishte ardhur në sasinë e paraparë. Gjithashtu, blerja e tyre ishte bërë me çmime më të larta sesa në treg.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ministres dhe tre të tjerëve: dy zyrtarëve të ministrisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Në seancën e parë shqyrtuese, Rozeta Hajdari nuk ishte paraqitur me arsyetimin se nuk e kishte marrë njoftimin nga gjykata. Seanca e radhës pritet të mbahet më 13 janar.
Në një konferencë për shtyp pas ngritjes së aktakuzës, Hajdari e kishte quajtur proces politik kundër saj dhe Qeverisë Kurti.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm, duke marrë parasysh periudhën ku ndodheshim ne më 2022”, kishte deklaruar Hajdari.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kishte mbrojtur Hajdarin kur kishin nisur hetimet dhe arrestimet.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur dhe pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti.








