Prokuroria Speciale ka nisur hetim ndaj Elza Bajramit, prokurore në Prokurorinë Themelore dhe anëtare e KPK-së, madje pjesë e panelit për intervistimin e Kryeprokurorit.
VOX Kosova, nga burimet e veta, ka kuptuar se prokurorja Bajrami po hetohet lidhur me disa pagesa që i kishte marrë nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Bajrami, në deklarimin e pasurisë, kishte deklaruar disa pagesa nga kjo organizatë e drejtuar nga Agim Ademi, por ndaj të njëjtit ajo përfaqësonte aktakuzën e Prokurorisë në një rast ku ai gjykohej për veprën penale “detyrim në tentativë”.
Burimet brenda Prokurorisë Speciale bëjnë me dije se tashmë kanë autorizuar Policinë që të mbledhë informacione dhe dokumente për këtë rast.

Kujtojmë që më 1 korrik, kur kandidatët për Kryeprokuror iu nënshtruan testit për këtë pozitë, Bajrami ishte pjesë e panelit intervistues, panel që nxori fitues Zejnulla Gashin, i cili në Prokurorinë Themelore është shefi i saj.









