Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, e ka konsideruar “të pabazuar dhe të padrejtë” kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, për 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kërkesa e prokurores së Dhomave të Specializuara në Hagë, për dënim me burg prej 45-vjetësh për secilin nga udhëheqësit e UÇK-së, njëkohësisht edhe udhëheqës të shtetit të Kosovës në këtë proces, përveçse është e pabazuar dhe e padrejtë, përbën edhe një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë”, shkroi Tërnava në Facebook.

Një qasje e tillë, thekson ai, “është fyese për viktimat e pafajshme, sulm ndaj heronjve që dhanë jetën për liri dhe përpjekje e hapur për njollosjen dhe degradimin e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare”.

Kjo kërkesë, ai thotë se është thjesht politike, “me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviç-it, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht”.

“Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, përfundoi ai.