Derisa kur kritikon Amerikanët vjen më i sofistikuar, sikur ishte ai shpjegimi se si shqiptarët nuk e duan Amerikën…
“Nuk mendoj që shqiptarët i dojnë amerikanët, as Amerikën”, thoshte Kurti.
Për Hashim Thaçin gjithmonë ka qenë më vandal në fjalor e në sjellje.
Por, e kam gjetur një video ku Albin Kurti, me gjasë duke besuar se këto fjali nuk po i regjistron kush, kritikonte edhe Amerikën edhe Hashim Thacin në një fjali me një dredhi dhe poshtërsi krejt origjinale.
“Tanë kohën na kanë thanë neve qysh Amerika është me Thaçin. A na kanë thanë? Ku është Thaçi sot? Ku është Thaçi sot? Amerika thoshin është me Thaçin, apo e sheh ku e çuan. E shtrydhën si limon”, thoshte Kurti.
Ky deklarim i Albin Kurtit është edhe i pavërtetë, po edhe shumë i poshtër.
Ama, përtej kësaj është edhe anti-shtetëror edhe anti-kombëtar.
Gjykata Speciale në Hagë si ide fillestare është krijuar si përgjigje kundrejt akuzave të rënda të Rusisë e Serbisë se kinse UÇK-ja paska kryer krime kundër njerëzimit në përgjithësi e specifikisht është marrë me trafikim të organeve njerëzore.
Për t’i shlyer këto akuza dhe për të dëshmuar se ato nuk qëndrojnë e se Kosova s’i frikësohet një gjykimi që shpalosë të vërtetën e këtyre shpifjeve, Kosova pranoi ta themelojë Gjykatën Speciale, të vetëdijshëm absolutisht se ato akuza po bëheshin për udhëheqësit e UÇK-së.
Madje, siç e tha rrokshëm intelektuali Blerim Shala…
“Hashimi u patë thënë këtyre kolegëve që nëse dikush burgoset, burgosem unë edhe Kadri Veseli”, tha Blerim Shala.
Pra, akuzat i bëri Rusia e Serbia.
“Pirolla i qoftë Dick Marty-t, por ky nuk ishte fryt i punës së Dick Martyt, por fryt i punës së Prokurorisë së Serbisë për krime lufte”, thoshte Vladimir Vukçveiç, ish-Kryeprokuror i Serbisë.
“I kemi dorëzuar komplet [në Prokurorinë e Speciales] strukturën komanduese të organizatës terroriste të UÇK-së, dokumentet që janë pjesë e saj”, thoshte Milovan Dreçun, politikan serb nga Partia Progresive Serbe e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Gjykatën e themeloi Kosova, për të dëshmuar se ato akuza janë rrena, në vazhdën e rrenave që Serbia prodhon e ripordhon vazhdimisht si tentim për të zhbërë atë që mundësoi UÇK-ja bashkë me Amerikën. Çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë.
“George Washington-i i Kosovës”, thoshte ish-Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, për Hashim Thaçin.
Por, shpjegimi Albin Kurtit, sugjeron t’i ikim kësaj të vërtete të dokumentuar dhe të besojmë se ishte Amerika ideatorja e Speciales për eliminimit politik të Hashim Thaçit.
Ky shpjegim i këtij armiku të së vërtetës, i këtij intrigashi, që në publik luante rolin e patriotit kujdestar kinse duke kundërshtuar Specialen, në takime private me popull me një derdhi krejt djallëzore dhe dinakëri të matur mirë sakrificën njerëzore për të dëshmuar pastërtinë e luftës kundrejt akuzave serbe e shtrembëron krejtësisht.
Dhe jo drejtpërdrejtë, por me nënkuptim e me dhelpëri ai e largon Serbinë nga ekuacioni, e zhdukë rolin e Serbisë me akuzat e shpifjet që i financonte gjithandej botës dhe e mbjellë Amerikën si faktorin që qytetari tash duhet ta pozicionojë si arsyeja qendrore për Gjykatën Speciale e krejt kjo qenka pas bërë për ta eliminuar politikisht Hashim Thaçin.
A nuk do të duhej Kurti t’i tregonte popullit për padrejtësitë e Speciales, provat e Serbisë aty, influencat politike, rrezikun që ekziston nga një dënim i padrejtë eventual, kursin e rrezikshëm që do ta ndërmerrte vetë fati i shtetit nëse lëndohen e përlyhen themelet e çlirimit e pavarësisë?
A nuk do të duhej ky të ishte duke i treguar popullit se çfarë po bën ai e qeveria e tij kundër kësaj gjykate, që vetë more thotë se u bë me padrejtësi e është e padrejtë?
Po, ky është Albin Kurti. Njeriu që në ato sallonet e paguara nëpër Londër flet për bashkëpunimin e Platonit e Aristotelit në qeverisjen e tij.
E, para qytetarëve, i bindur se ata janë analfabetë siç i ka përshkruar dikur në një pamflet, si lorëz gojëligë injekton helm për Amerikën e Thaçin, derisa lehtë e pa u diktuar e pastron Serbinë nga skena, për të bërë atë që është ushtruar ta bëjë, sulmin e pandalshëm ndaj të vërtetës, rehabilitimin e kujdesshëm të Serbisë dhe dëmtimin e vazhdueshëm të Kosovës.








