Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet që të përfundojë Autostrada e Gjilanit, pasi që u pyet për këtë çështje nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Basha tha se tani do të angazhojë një kompani ndërkombëtare për të analizuar sasinë dhe cilësinë e punimeve që janë bërë.
“Tash me këtë dosje, unë duhet me e bë angazhimin e një kompanie profesionale, edhe potencialisht ndërkombëtare për me ardh me e ba analizën e dy çështjeve. Një sasinë dhe cilësinë e punimeve që është bë”. Pra, cilësinë për ata që kanë përfundu projektin dhe sasitë nëse korrespondojnë me realitetin në terren edhe për mjetet që janë pagu” tha Basha në seancën e së enjtes.
Nëse këto ndryshojnë, Basha theksoi se “duhet me e mbajtë përgjegjës secilën kompani të përfshirë edhe zyrtarët e kompanisë të cilët na i kanë dhënë ndryshe prej realitetit në terren”.
“E njëjta kompani ka me e bë hartimin, riprojektimin për shkak se aty ka probleme edhe me projektin edhe me kontraktorët. Neve na duhet një palë e tretë, e pavarur që e bën këtë punë dhe më tregon, i nderuar ministër kjo është dosja e tenderit për me vazhdu me projektin edhe njëkohësisht analizën për punimet që janë bë”, shtoi.
Ai pohoi se kupton se “është duke shkuar ngadalë, na mendoj që duhet me marrë përgjegjësi për këtë”, por, sipas tij, “ose duhet me e bë mirë tash, ose mos me rifillu edhe njëherë edhe me përfundu na me të njëjtat probleme që i kemi”.
Përfundimin e këtij projekti, Kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij e kanë premtuar vazhdimisht.
Hysen Durmishi, në cilësinë e zëvendësministrit të Infrastrukturës, në vitin 2023, deklaronte se Autostrada e Gjilanit do të përfundonte në fund të vitit 2023.
“Në autostradën Prishtinë-Gjilan, përkatësisht Banullë deri te Bresalci, janë aktualisht duke u zhvillu punimet me një dinamikë shumë të shtuar. Dhe ne jemi optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit”, thoshte Durmishi më 8 gusht 2023.
Në 2023-në, edhe vetë Kurti kishte thënë se Autostrada e Gjilanit po bëhet. “Prishtina po lidhet me Gjilanin me autostradë. Pra, Autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet”, thoshte Kurti më 21 korrik 2023.
Lërë që nuk përfundoi më 2023-në, por ndërtimi i saj nuk ka përfunduar as tani kur ka kaluar më shumë se gjysma e vitit 2026.









