Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, një ditë pasi mori zyrtarisht detyrën e saj, ka shkuar për homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-Presidentit, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Këtë njoftim e dha faqja zyrtare e Presidencës.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Shiroka-Pula: Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave.
Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Në Prekaz, Presidentja Shiroka-Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.
Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka-Pula.
Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.
Presidentja Shiroka-Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.









