E mbani mend besoj shtëpinë e Kurtit me qiranë 250 euro por që në fakt Kosovës i kishte kushtuar, me tender 1.72 milionësh, për familjen që ia kishte lëshuar atë shtëpi me qira Kryeministrit.
Epo se ai tender ishte dhënë mes shkeljesh, siç kishte raportuar Vox Kosova, tashmë është konfirmuar nga Gjykata Komerciale, e cila e ka ndalur këtë proces, dhe ia ka kthyer OSHP-së në rivendosje.
Sipas Gjykatës, OSHP-ja s’diti të arsyetoj se pse nuk e morri parasysh ankesën e operatorit tjetër ekonomik në garë, që kishte pasur edhe cmim më të lirë.
“As në dispozitiv të vendimit të kundërshtuar dhe as në arsyetim nuk mund të konstatohet se cilat pretendime të ankesës janë shqyrtuar.. Në këtë kuptim vendimi i kundërshtuar është i paqartë dhe kundërthënës… Pasi aty nuk dhënë asnjë sqarim se cilat pretendime janë të bazuara për të cilat rrjedhimisht ankesa është hedhur si e palejuar” thuhet në aktgjykim të Komerciales.
Teksa vazhdon gjykata duke shpjeguar se “Ky arsyetim është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës apo i pakuptueshëm, dhe është i barabartë me mungesën e tij.”
Gjykata ka përmendur 3 nene të ligjit të shkelura përmes këtij vendimi, për çka e kthen tenderin në pikën 0, duke ia pamundësuar të paktën aktualisht 1.7 milionëshin burrit të Jeta Zagragjës, bijës së familjes qiradhënëse, e mikes së Davosit të Kurtit.








