Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje në selinë qendrore të partisë, në një kohë kur brenda LDK-së po zhvillohen diskutime lidhur me rezultatin zgjedhor dhe drejtimin e mëtejmë politik të subjektit.

Përmes një deklarate të miratuar pas mbledhjes, degët e LDK-së kanë shprehur mbështetje të plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe Kryesinë e partisë, duke e konsideruar të rëndësishëm vazhdimin e angazhimit të tyre në përfaqësimin e politikave të LDK-së dhe në ruajtjen e stabilitetit institucional në vend.

“Kolegjiumi rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”, thuhet në deklaratë.

Sipas burimeve, 33 degët pjesmarrëse kanë mbështetutr Abdixhikun vetëm 5 nuk kanë pranuar të marrin pjesë në mbledhjen e sotme.

Në mbledhje është diskutuar edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kolegjiumi ka vlerësuar se LDK ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare krahasuar me zgjedhjet paraprake, por njëkohësisht ka kërkuar analizë të detajuar të performancës zgjedhore.

“Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së”, thuhet në dokument.

Ky qëndrim vjen në një periudhë kur në opinionin publik dhe në qarqe të caktuara brenda partisë janë ngritur diskutime për përgjegjësitë politike pas zgjedhjeve dhe për nevojën e reformimit të strukturave partiake.

Megjithatë, Kolegjiumi i Degëve ka bërë të qartë se çështjet e organizimit të brendshëm do të trajtohen ekskluzivisht sipas Statutit të partisë dhe përmes organeve legjitime të saj.

“Çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore”, theksohet në deklaratë.

Me këtë qëndrim, degët e LDK-së praktikisht kanë përjashtuar mundësinë e një procesi të jashtëzakonshëm zgjedhor në parti para afatit të paraparë me statut.

Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e degëve kanë ritheksuar edhe përkushtimin e LDK-së për funksionalizimin e institucioneve të vendit dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Kolegjiumi rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Kolegjiumi u ka bërë thirrje të gjitha strukturave, anëtarëve dhe funksionarëve të LDK-së që energjinë e tyre ta fokusojnë në forcimin e partisë dhe ruajtjen e unitetit të saj.

“Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, përfundon deklarata.