Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që ta luajë rolin e Kryeredaktores dhe korrektores së mediave, në përpjekje e sipër për ta zbutur sulmin e Kryeministrit Albin Kurti, ndaj mediave.
“Besoj që ashtu sikurse ju e përmendet edhe organet kompetente do të angazhohen me shumë seriozitet për këtë çështje unë nuk kam një emër të përveçëm, por ju bëj thirrje edhe ju lus të gjithë ju që ndiheni rehat dhe komod me punën e ndershme, me përgjegjësi transparente që bëni për qytetarët, të vazhdoni të bëni raportimin korrekt, ndërkaq ata të cilët ndjehen të intimiduar për arsye të ndryshme uroj që të mos kenë arsye për ta bërë një gjë të tillë”, tha Nagavci për gazetarë pas seancës së Kuvendit.
Duke dhënë leksione se si ato duhet të sillen e raportojnë, madje edhe për përmendje të financimeve me thasë, ajo s’ka dhënë emra e as detaje, por vetëm ka përgjithësuar njësoj siç ka bërë edhe Kurti.
“Besoj shumë edhe apeloj te organet kompetente që të zhvillojnë gjithë hetimet, sepse deklaratat që i bëri edhe Kryeministri, por edhe ato që janë thënë edhe nga personat e tjerë janë të bazuar në raportime dhe besoj në faktet të cilat veçse janë duke u trajtuar tashmë”.
Vetëvendosja, shton ajo, nuk ka frikë as nga e vërteta e as nga mediat. “Kërkesat edhe thirrjet tona janë që secili prej nesh, përfshi neve që ne jemi deputetë e persona me përgjegjësi publike, ashtu edhe gazetari dhe të gjitha mediat të cilat kanë mandat që të veprojnë edhe në interes të së mirës së përgjithshme dhe në informim të qytetarëve ta kryejmë detyrën tonë në bazë të përgjegjësive që i kemi”.
“Përkundër që kemi parë në të kaluarën, në një kohë jo shumë të largët ndoshta edhe ndikimet te mediat, ky asnjëherë as nuk ka qenë e as nuk do të jetë synimi edhe qëllimi i Vetëvendosjes”, deklaroi ajo ndër të tjera.









