Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që dirigjohet nga Beogradi, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosmiratimin e listës së kandidatëve të listës së saj të deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e së shtunës, në një votim të ndarë për subjektet tjera politike, Listën Serbe dhe KDTP, KQZ vendosi për miratimin e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit për subjektet e tjera dhe KDTP, por jo edhe për Listën Serbe.

Dy ditë pas kësaj, Lista Serbe është ankuar në PZAP. Igor Simiç, përfaqësues i kësaj partie, vendimin e KQZ-së e cilësoi si  “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues”.

Ai theksoi se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”. “Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Simiç, transmeton Radio Evropa e Lirë.