Praktika e shkeljes së Kushtetutës duhet të ndalet urgjentisht, ka thënë Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa ka kujtuar shkeljet e shumta të Kushtetutës që janë bërë nga Qeveria e Albin Kurtit.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, në ditën e Kushtetutës. Ai theksoi se Kushtetuta është gardiani që mbron shtetin e pavarur të Kosovës.

“Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor që mishëron idealet e luftës çlirimtare për liri dhe shtetësi. Kjo Kushtetutë moderne është gardiani që mbron arritjen më të madhe të shqiptarëve, shtetin e pavarur të Kosovës, duke garantuar të drejtat e njeriut, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve pa dallim”, shkroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së përmendi faktin se gjatë kohës kur Vetëvendosja është në pushtet ka pasur vazhdimisht shkelje të Kushtetutës, “përmes vendimeve dhe veprimeve antikushtetuese duke anashkaluar qëllimshëm parimet e saj”.

Prandaj, Haradinaj ka potencuar se “kjo praktikë duhet të ndalet urgjentisht”.