Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po rri spektatore përballë rritjes së çmimeve.

“Po kërkojmë nga Qeveria që të marrë masa e vendime, në rast se duhet edhe ndryshime ligjore. Ne si deputetë jemi këtu për ta përkrahur me kusht që ato të përkohshme, por edhe të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve”, tha Hamza në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për rezolutën që ka të bëjë me rritjen e çmimit të naftës.

Kreu i PDK-së potencoi se çmimi i naftës është në ngritje e sipër. “Është një produkt i cili ka impakt në ngritjen e kostos së shumë produkteve të tjera, qoftë në prodhim, qoftë në shërbime”.

“Dhe për më keq, kur ndikon në rritjen e çmimit të një produkti, mbas një periudhe të caktuar kohore mundet çmimi i asaj i naftës, si rezultat i ecurive në bursa të ndryshme me rënë, por çmimi i produkteve që u rrit si rezultat i ngritjes së çmimit të naftës, mbetet i njëjtë”.

Prandaj, ai vlerëson se Qeveria “nuk është duke e marrë në konsideratë ndikimin dhe impaktin e kësaj dukurie në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve”.

“Kjo vazhdon me i varfëru qytetarët e Kosovës. Qeveria nuk është t’i lexu mirë as zhvillimet dhe indikatorët makroekonomikë dhe financiarë”, potencoi ai ndër të tjera.