Nga Bashkimi Evropian (BE) kanë bërë thirrje që të shmangen deklaratat që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se dialogu mbetet e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane.

“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, kur u përgjigj lidhur me deklaratat e fundit për Kosovën të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, tha zëdhënësi i BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Vuçiç, që ka qenë Ministër i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, propagandoi duke thënë se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Të mërkurën, Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që ta dënojnë gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të Serbisë.

Gjuha e liderëve të Serbisë, Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe Kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabiç, Haxhiu theksoi se është rikthim i narrativave të Millosheviç-it.