“Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit tashmë ka nisur”, ka konfirmuar i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Këto komente, Sorensen i ka bërë në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, të shtunën, pjesë e të cilit ishte edhe Ministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai theksoi se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit është zotim ndërkombëtar i cili duhet të respektohet.

“Është shumë e qartë. Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar. Nuk është tekst traktati. Pikërisht këtu qëndron shpesh keqkuptimi. Dhe për ata që nuk janë juristë – më falni për këtë – por nuk është tekst traktati”, tha Sorensen.

Ka disa specifikime të qarta, theksoi ai, “që duhet të plotësohen në mënyrë që një marrëveshje të jetë traktat”. “Por, kjo është një zotim ndërkombëtar dhe ne, si Bashkim Evropian, e kemi mirëpritur atë”.

Prandaj, ai vlerëson se është shumë e qartë: “qoftë Kosova apo Serbia, kur keni të bëni me ne, ne e konsiderojmë këtë marrëveshje një marrëveshje të vlefshme ndërkombëtare që duhet të respektohet”.

“Fakti që ajo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë parë disa politikanë, dëshmohet edhe nga fakti se zbatimi i saj tashmë ka nisur në disa pjesë”.

Sorensen potencoi se “ka përparim sidomos në çështjen e personave të zhdukur, por ka edhe çështje të mëdha që kanë mbetur të pazbatuara”.

Marrëveshja mes Kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, ishte arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023.

Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.

Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.