“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”.
Kështu ka thënë ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, në një përgjigje për gazetën “Infokus”, pasi që Kryeministri Albin Kurti, kërkoi nga partitë opozitare që Sejdiu të votohet për President, ndonëse ai ishte tërhequr nga gara kohë më parë.
“Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke qenë se marrëveshja LDK-LVV ka dështuar. Unë kam hyrë në këtë proces, në fillim të shtatorit, dhe kam marr këtë barrë të rëndë në një moment kaq të rëndë, me motivin e vetëm të që të ndihmojë Kosovën të dalë nga ky ngërçi vetshkatërrues. Liderët politik mund të përmendin emri tim dhe unë u jam mirënjohës për besimin që e kanë ndaj meje”, ka thënë Sejdiu.
Në garë për President, Sejdiu ka treguar se kishte hyrë me LDK-në si propozuese dhe me VV-në si mbështetëse.
“E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, sidomos duke e pasur parasysh se unë jam propozuar nga LDK, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës”, shtoi.
Kurti, gjatë ditës së martë, i kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës që ta votojnë fillimisht Sejdiun për President dhe më pas Vetëvendosja do ta votonte në lexim të dytë Ligjin për Gjykatën Speciale.
“Le ta zgjedhim Presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem para jush që në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, ne e votojmë në lexim të dytë projektligjin për Dhomat e Specializuara”, tha Kurti në një konferencë për media.
Sejdiu ishte prezantuar si kandidat i përbashkët nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje.
Por, gjashtë deputetë të LDK-së kishin dalur kundër votimit të tij dhe më pas ai kishte bërë të ditur se ishte tërhequr nga gara.









