Aleanca nuk do të marrë pjesë në seancën konstituive që do të mbahet nesër (09 shtator).
Këtë njoftim e dha kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës.
Gjini tregoi që partia e tij këtë hap e konsideron shkelje kushtetuese, pasi që seanca është jashtë afatit kushtetues.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetëditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetëditësh tjetër prej atij tridhjetëditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjini para gazetarëve.
Kryetari i Aleancës po ashtu tha që do të flasë edhe me partitë tjera që janë në opozitë për të parë mundësinë që ky veprim të dërgohet në Kushtetuese.
“Kosova nuk ka qysh me ecë përpara nëse partitë politike nuk i referohen Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai.









