Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas rezultatit zgjedhor janë të vetëdijshëm se çështja e Presidentit do të jetë e para që do të diskutohet, duke theksuar se kjo parti e ka kandidaten, Vjosa Osmanin dhe se ajo do të jetë pikënisje e çdo diskutimi.
“Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka thënë Abdixhiku në një konferencë të përbashkët për media me Osmanin.
Rezultati i LDK-së, e cila u rendit e treta, por që u rrit në përqindje në krahasim me zgjedhjet e kaluara, Abdixhiku tha se është reflektim i një fryme që ka ndërtuar me Osmanin.
“Kosova foli qartë. Foli me votë dhe dëshmoi pjekuri demokratike. Rezultati i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik, i një fryme të re që e kemi ndërtuar me Osmanin”, shtoi ai.
“Ky është rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe të palodhshme të strukturave tona. Është mbështetje për vizionin që e kemi nisur dhe shenjë e qartë se ky vizion po merr përkrahje qytetare. Me 20 mandate, LDK-ja është e stabilizuar dhe ka një të ardhme të mirë përpara”.
Abdixhiku theksoi se kishin përballë “një aparat të pushtetit, një makineri shtetërore në funksion elektoral dhe një klimë politike të ndërtuar shpesh mbi ndasi frikë e përçarje. Pamë dhe keqpërdorime paraelektorale ndërhyrje dhe praktika të blerjes së votës, të cilat nuk i bëjnë nder demokracisë tonë”.
Me rezultatet pleminare, ku VV-ja u zvogëlua me 140 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara, Abdixhiku konsideron se “pamë një refuzim të qartë të këtij stili qeverisës”. “Humbja e 200 mijë votave është sinjal që nuk duhet të injorohet. Qytetarët po kërkojnë stabilitet politik”, shtoi ai.









