Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë aktgjykim duke shpallur si të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në pensionet kontribut-paguese. Ky vendim vjen pas pranimit të kërkesëpadisë së paditësit Sh.S., kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015, i cili rregullonte kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.
“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Ligji për skemat pensionale nuk lidh të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata Supreme ka theksuar se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa një qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh që kanë përmbushur kushtet ligjore vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit arsimor.
“Një dispozitë e tillë cenon parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim të pajustifikuar ndërmjet pensionistëve që ndodhen në rrethana të njëjta sa i përket kontributeve dhe stazhit pensional. Dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues”, thekson Gjykata.
Ky vendim i Gjykatës Supreme hap rrugën që të gjithë pensionistët kontribut-pagues, pavarësisht kohës së fitimit të kualifikimit arsimor, të kenë të drejtë të përfitojnë pensionin sipas ligjit.









