Organizata e Veteranëve të dalur nga lufta e UÇK-së e ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar të hënën nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.

Ata thanë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, “dje e kanë goditur UÇK-në me uniformën e shtetit”.

“Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Ata thanë se plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar, “ndërsa pushteti dje urdhëroi që mbi ta të ushtrohej dhunë nga uniforma e shtetit për të cilin luftuam”.

“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla duhet ta dinë se veteranët e UÇK-së nuk janë njerëz që mund t’i nënshtrosh me shkopinj, gaz dhe uniforma policore”.

“OVL UÇK ua bën me dije se uniformat policore nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia. OVL UÇK ua bën me dije se pushteti nuk ju jep të drejtën të shkelin mbi dinjitetin e veteranëve”.

OVL UÇK ka kërkuar përgjegjësi të plotë “për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave”.

Ata kërkuan edhe lirimin sa më të shpejtë të anëtarit të Kryesisë së OVL UÇK-së, Ekrem Selimit, dhe Fadil Zogajt, të cilët thanë se po mbahen në paraburgim nga organet policore.