“Kjo politikë e frikës, e përçarjes dhe e arrogancës duhet të mbetet një herë e përgjithmonë prapa nesh”, ka thënë kandidatja për Presidente e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në tubimin përmbyllës të kësaj partie në Prishtinë, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Demokracia, thekson ajo, “nuk është sundimi i një njeriu”. “Demokracia është kufizimi i pushtetit të secilit. Demokracia është balanca. Demokracia është llogaridhënia. Demokracia është garancia se kurrë asnjë njeri nuk mund të bëhet më i madh se shteti”, tha Osmani.

Prandaj, potencoi ajo, se nuk e kanë ndërtuar Republikën e Kosovës “që ajo të kthehet në pronë politike të kujtdo qoftë”.

“E prandaj po i thërrasim qytetarët e Kosovës, e jo vetëm votuesit e LDK-së. Po ju thërrasim juve që ndiheni të zhgënjyer, po ju thërrasim edhe juve që mund të ndiheni të lënë anash e të papërfaqësuar nga politika aktuale, po ju thërrasim të gjithë juve që besoni se vendi ynë mund të bëhet më mirë, juve që doni arsye për të qëndruar në Kosovë e jo ta shihni aeroportin si shpëtim…”, deklaroi ajo ndër të tjera.

Kosova, potencoi ajo, nuk është bërë shtet duke qëndruar vetëm. “Kosova është bërë shtet i fortë duke qëndruar bashkë me miqtë e aleatët e saj”, shtoi ajo.

“Prandaj, në zgjedhjet e 7 qershorit, qytetarët nuk do të zgjedhin thjesht një opsion politik, ata zgjedhin edhe përgjigjen ndaj një pyetje vendimtare, a do të mbetet Kosova e ankoruar përgjithmonë me Aleancën strategjike me Amerikën apo do të lejojë që ky orientim historik të vihet në diskutim”.

Për Kosovën, zgjidhja thotë se është e qartë. “Për Kosovën nuk ka se si të jetë tjetër përveçse një Kosovë e lirë, një Kosovë sovrane dhe një Kosovë në miqësi të përhershme me SHBA-të”.

“Sepse kjo Aleancë nuk është e zakonshme, nuk është aspak e zakonshme, në fakt është gjithçka përveçse e zakonshme”.

“Sepse kjo Aleancë është ndërtuar aty ku historia nuk falte gabime. Sepse kjo Aleancë është ndërtuar e forcuar atëherë kur çdo vendim kishte peshë shtetformuese, sepse kur populli ynë po përballej me shfarosjen dhe kur bota po hezitonte Amerika veproi dhe veproi pa hezitim, veproi me bindje, me qartësi, veproi për lirinë e popullit shqiptar dhe pikërisht atëherë historia jonë ndryshoi një herë e përgjithmonë….”, shtoi.

Çfarë jemi duke parë aktualisht, duke aluduar në partinë në pushtet, Osmani theksoi se “është një politikë që ka ndërtuar mure mes njerëzve dhe që ka ushqyer ndarje”.

“Kemi parë sulme ndaj çdo zëri që guxoi të mendojë ndryshe, kemi parë një politikë që nuk ka vizion tjetër pos një kontrolli të plotë. Kemi parë se çfarë ndodhë kur dikush fillon të mendojë se shteti është shumë i vogël se sa ambiciet për të kontrolluar gjithçka e çdo kënd”, pohoi ajo.