Menduh Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkëpunon me koalicionin VLEN – përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedoninë e Veriut – vetëm për inat të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Këto komente, Thaçi i bëri gjatë Kuvendit Zgjedhor të PDSH-së në Tetovë, derisa po fliste për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut dhe mospërfaqësimit të duhur të tyre në Qeveri.
“Ai [Kurti] të gjithë koketimet me VLEN-in i bën për inat të Edi Ramës. Po kjo s’ka lidhje me realitetin dhe me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Thaçi.
Ai i tha Kurtit se të mbështetësh VLEN-in është e njëjtë sikur të mbështeten pasaardhësit e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.
“Unë sot dua ta përkujtoj atë se të mbështesësh VLEN-in në Maqedoni është njësoj si ta mbështetësh SPS-në në Kosovë, pasardhësit e Millosheviç-it”, potencoi kreu i PDSH-së.
Thaçi dha edhe një arsyetim për këtë.
“Pse e them këtë? Për shkak se pjesa më e madhe e VLEN-it para 6 vjetëve ishte në koalicion të hapur me pobratimat e vjetër të SPS-it, d.m.th ish-Lidhjen Komuniste të Maqedonisë”, pohoi ai, duke iu referuar koalicionit parazgjedhor në mes të Lëvizjes Besa – aktualisht pjesë e VLEN-it – dhe LSDM-së.








