Perëndimi, sipas Emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione Speciale, Richard Grenell, nuk do të punojë më me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, por, siç thekson ai, do që ish-Presidenti Hashim Thaçi, të lirohet nga Haga – ku po qëndron për më shumë se 5 vjet si i akuzuar për krime lufte – dhe ta udhëheqë Kosovën përsëri.

Grenell e bëri përgjegjës Kurtin për krizën aktuale politike dhe theksoi se ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin.

Sipas tij, Kurti është duke vazhduar historinë e tij në krijimin e bllokadave njësoj siç ka vepruar sa ishte në opozitë.

“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimin të bllokadave dhe barrierave sikur që ka bërë sa ka qenë në opozitë”, ka thënë Grenell për Gazeta Express.

Kurti, konsideron ai, “nuk di si të qeverisë”. “Ai qartësisht, nuk di si të qeveris, është i destinuar të jetë në periferi duke u ankuar. Në fakt ai është më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat se sa të udhëheq një qeveri”, shtoi ai.

Për dallim nga Kurti, Grenell thekson se Perëndimi do që Thaçi “të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri”.

“Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës”, potencoi ai.

Perëndimi, siç thotë ai, “nuk do të punojë më me Kurtin, sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”.