Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj nuk do të bëhet pjesë e asnjë veprimi që, sipas saj, përmbys rendin kushtetues, ndërsa i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të vijë sonte në Kuvend dhe ta konstituojë atë.

Çitaku tha se është e papranueshme që të mos respektohen rregullat dhe Kushtetuta, duke akuzuar Kurtin se po refuzon të zbatojë normat kushtetuese.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, deklaroi ajo pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ajo theksoi se Kushtetuta nuk është vetëm një dokument juridik, por simbol i sakrificës së shumë brezave, ndaj, sipas saj, të gjitha institucionet janë të obliguara ta respektojnë.

Në fund, Çitaku i bëri thirrje Kurtit që të mos e zvarrisë më procesin.

“Të vijë sonte në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje. Kosova është më e madhe se çdo parti e çdo lider,” u shpreh ajo.