Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do që të qeverisë dhe po iu konvenon kriza, sepse, sipas saj, kështu po e fshehin “hajninë” nëpër institucione.
Këto komente, Kica-Xhelili i bëri në një intervistë në emisionin Debat Plus që transmetohet në RTV Dukagjini, në debatin e nënkryetarëve të katër partive më të mëdha politike: LDK-së, VV-së, PDK-së dhe AAK-së, pasi që u pyet se pse Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Për mua është kristal e qartë. Kosovën e ka çu në zgjedhje pangopësia për pushtet e një kryeministër në detyrë, që do me qenë edhe Kryeministër, edhe Kryetar i Kuvendit, edhe President e besa edhe Kryeprokuror i Kosovës”, tha Kica-Xhelili.
“Përveç që veç që këta nuk dojnë me qeverisë, këtyre po iu konvenon kjo krizë, sepse në këtë krizë po e kanë shumë më lehtë me e fsheh krejt hajninë e matrapazllëkun që po ndodh nëpër institucionet shtetërore me një fantazmë armiqsh, duke krijuar armiq imagjinarë, duke shpallë kriza të ndryshme dhe duke e përdorur një diskurs të vazhdueshëm qe këqyre krejt janë kundër meje”, shtoi ajo.









