9 anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë betuar të hënën nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Por, kjo nuk e kompleton këtë institucion, për shkak se duhet që të jenë 10.
KQZ-ja, duke llogaritur edhe Kryetarin ka 11 anëtarë në total. Por, Haxhiu nuk e ka emëruar një anëtar, pasi që Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se i takojnë 3, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës 2.
Të hënën, u betuan dy anëtarë nga VV-ja, një nga PDK-ja, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Aleanca.
Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu janë nga VV. Rashit Qalaj nga PDK, Ilir Fetahu nga LDK dhe Muharrem Nitaj nga AAK.
Po ashtu, të hënë janë betuar edhe anëtarët nga komunitetet joshumicë joserbe.
Çështja e një anëtari ekziston si problematik që nga koha e ish-Presidentes Vjosa Osmani. Edhe asaj, VV-ja ia kishte propozuar tre, ndërsa PDK-ja dy.
Osmani i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, por Kushtetuesja e kishte shpallur të pavlefshme kërkesën e saj.
Kushtetuta parasheh që gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha shqiptare që janë të përfaqësuara në Kuvend, një anëtar nga komunitetit joshumicë serb dhe tre të tjerë nga komunitetet joshumicë joserbe.









