Deputeti i Aleancës Besnik Tahiri, ka thënë se Ramush Haradinaj është profili dhe lideri që, sipas tij, i duhet Kosovës për president në rrethanat aktuale.

Në një deklaratë për KosovaPress, Tahiri tha se zgjedhja e presidentit duhet të përcaktohet nga opozita, ndërsa theksoi se Haradinaj do t’i shërbente vendit.

“Unë jam i bindur se Ramush Haradinaj i kishte bërë nder dhe ish kanë një president që i kish shërbyer vendit. Në rrethanat që është sot Kosova dhe Ballkani Perëndimor, ai i kish përafru palët”, tha Tahiri.

Ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se AAK është e gatshme për zgjedhje, ndërsa përsëriti se Aleanca nuk ka nevojë për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për çështjen e presidentit.

Tahiri tha se AAK ende nuk ka marrë përgjigje për gjashtë kërkesat që ia ka adresuar Kurtit, ku përfshihet edhe projekti i gazit amerikan.

Lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Tahiri kërkoi që Qeveria t’i kthejë sa më shpejt në Kuvend ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale.

“Qeveria do të ishte dasht jo më larg se deri të hënën me ia kthy këtë ligj Kuvendit, që me përfundu këtë ligj sa më shpejt”, tha ai për KosovaPress.