Donika Gërvalla, Kryetare e Partisë Guxo, është shprehur e gatshme për ta marrë detyrën e Ministres së Drejtësisë. Në këtë pozitë, ajo ishte propozuar nga Albin Kurti më 26 tetor, por që kabineti i tij nuk i kishte marrë 61 votat e nevojshme atëherë, i cili Gërvalla theksoi se nuk do të ketë shumë ndryshime nga ai i ardhshmi që do të propozohet nga Kurti pas fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Sa i përket gatishmërisë time për ta marrë udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë është po ashtu… kam gatishmëri si në tetor”, tha Gërvalla në një intervistë për Kanal 10.
Sipas saj, gjatë katër viteve të kaluara, kur këtë dikaster e udhëhoqi Albulena Haxhiu, është punuar “shumë”, ndonëse nuk përmendi asnjë punë konkrete. Madje, ajo akuzoi Gjykatën Kushtetuese për bllokada.
“Sepse mendoj që reforma në drejtësi, në të cilën është punuar shumë gjatë katër viteve të fundit, por e cila gjithashtu është ballafaquar me bllokada të jashtëzakonshme, pra roli opozitar kur nuk po mundesh të ecësh në parlament i dërgon lëndët në kushtetuese dhe aty presin derisa ato derisa të fermentohen, derisa të bëhen turshi, apo nuk e di çka pret Gjykata Kushtetuese, edhe me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, edhe me Ligjin për Vetingun, nuk e di çka pret”, shtoi ajo.
Ajo përmendi zotimin për Prokurorinë e re, “e specializuar për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”. “Edhe ajo është goxha sfiduese”.
“Kështu që gatishmëria ime është, megjithatë, nuk mund të them as këndej as andej përderisa nuk jemi ulur dhe t’i përcaktojmë së bashku me partnerët tanë të koalicionit se cila do të jetë ndarja e detyrave”, shtoi.
Gërvalla deklaroi se nuk e refuzon asnjë sfidë. “Unë jam më shumë lojtar futbolli se sa tenisi. Unë kam dëshirë të luaj në ekip dhe ligjeve dhe rregullave të ekipit”.
Nëse partnerët tanë do të kenë mendimin që unë mund ta udhëheqë mirë ministrinë e Drejtësisë, unë nuk i shmangem kësaj përgjegjësie.









