“VV dhe Glauk Konjufca kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë votat e nevojshme, por kjo u takon atyre. Mua më takon të bindem që kanë gjasa, dhe ata më kanë bindur se kanë gjasa”.

Kështu deklaroi të martën Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ia dha mandatin Glauk Konjufcës në një tentim tjetër të Vetëvendosjes për ta bërë Qeverinë.

Në të vërtetë, kjo nuk është hera e parë që Osmani bindet nga Vetëvendosje.

Rrugëtimi i saj drejt presidencës është parë si një pushtet tjetër në dorë të Albin Kurtit.

Qëndrimet e Osmanit kanë qenë pothuajse përherë në një linjë me Qeverinë e Vetëvendosjes dhe betejat e tyre politike.

Rrallëherë ka dënuar gjuhën e ashpër ndaj gazetarëve, sindikatave apo edhe institucioneve të drejtësisë – sulme këto që vinin drejtpërdrejt nga pushteti.

Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, Kurti e akuzoi rëndë Isufajn, derisa po “argumentonte” përse, sipas tij, i njëjti nuk do të mund të bëhej Kryeprokuror.

“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit, sa më larg që të shkojmë, aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj”, kishte thënë Kurti.

Osmani zbaton me zell këtë politikë, duke mos e dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror, duke u thirrur në disa pretendime për shkelje gjatë procedurës së zgjedhjes.

Por se sa i interesojnë shkeljet ligjore, Osmani e ka treguar me rastin e Hekuran Muratit, kur Gjykata Supreme konstatoi se vendimet e tij – dhe të secilit tjetër qeveritar në detyrë – janë të kundërligjshme për shkak se vijnë nga pozita e ministrit në detyrë.

Osmani nuk e nxori asnjë fjalë për vendimet e shumta qeveritare – as kur vjen puna te buxheti, që u miratua para disa ditësh nga kryeministri dhe disa ministra që janë edhe deputetë.

Albin Kurti dhe Vetëvendosje e ashpërsuan kritikën ndaj Gjykatës Kushtetuese këtë vit, pasi ajo po trajtonte lëndë që kishin të bënin me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Në një takim me Këshillin e Përgjithshëm të partisë, kreu i Vetëvendosjes i quajti pesë gjyqtarë të kësaj gjykate “relikte të trashëgimisë jokulturore”.

“Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes”, tha ai.

Pak ditë pas kësaj, ani pse nga faktori ndërkombëtar pati reagime në mbrojtje të gjyqtarëve, Osmani u duk se u bind më shumë nga fjalori i Kurtit.

“Sa i përket sulmeve, në përgjithësi, ta themi një gjë: Kushtetuta nuk e ndalon që ne të komentojmë vendimet e gjykatës. Nuk ndalohet komentimi, as nuk ndalohet kritika – kritika profesionale, normale. Republika e Kosovës është shtet ku garantohet liria e shprehjes, edhe liria për të mos u pajtuar me aktgjykimin, përderisa ato zbatohen në plotni. Pyetja duhet të jetë: a i zbatojmë? Të gjithë i zbatojmë. Mos të pretendojmë se ato janë shenjtëri – flasim për të gjithë. Edhe ata nuk janë mbi Kushtetutën. Pra, s’po flasim për shenjtëri. Është brenda normave demokratike”, tha ajo.

Pak e çuditshme është se si u bind Vjosa Osmani se Vetëvendosje mund t’i bëjë numrat, kur kishte fakte për të kundërtën: kjo parti me mandatarin e parë pati vetëm 56 vota në tentimin e parë. Një deklaratë e Kurtit mbrëmë, dukej edhe si tallje me bindjen e Presidentes se “janë votat”.

“Për mandatarin e ri, në tentimin e dytë, Glauk Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që në Kuvendin e Republikës unë i mora 56 vota nga 61 sa është minimumi i nevojshëm. 56 vota i ka sigurt Glauku, ndoshta merr më shumë. Më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimumi i Glaukut”, deklaroi Kurti në konferencën e mbajtur për media.