“Mos ta faltë Zoti evladin e keq se mundet me ta fëlliq edhe emrin e familjes”, ka thënë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për Donika Gërvallën, Ministren e Drejtësisë, e cila është edhe e bija e heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla, i vrarë së bashku me vëllain e tij Bardhoshin dhe bashkëpunëtorin Kadri Zeka, nga shërbimi sekret serb më 17 janar 1982, në Gjermani.

Këto komente, Kadrijaj i bëri në seancën e Kuvendit të premten, pas sulmeve të vazhdueshme që Gërvalla i ka bërë ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kadrijaj theksoi se Gërvalla po e keqpërdor emrin e babait të saj, Jusufit, derisa ia rikujtoi se është pikërisht ajo që gjatë kohës sa ka qenë Ministre e Punëve të Jashtme e ka financuar me 15 mijë euro librin e Shkëlzen Gashit për masakra, në të cilin janë konstatuar pasaktësi.

“Këtu njerëzit, në këtë Kosovë e bartin një barrë historike, një barrë kombëtare dhe një barrë familjare dhe konform kësaj duhet me u sjellë. Ka këtu që duke e keqpërdor emrin e babait të saj ka fyer çlirimtarë, ka fyer komandantë, ka fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.

Mesazhi i deputetes së AAK-së për Gërvallën ishte: “Mjaft, çka është mjaft është mjaft. Mjaft më me këto fyerje”.