Muhamed Sejdini, ish-Kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, është arrestuar të enjten në një aksion të koordinuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike. Sejdini ka qenë Kryetari i parë shqiptar i shtëpisë së futbollit në RMV.

Sipas raportimeve të mediave atje, Sejdini dyshohet për përvetësim të rreth 700 mijë eurove. Këto mjete, UEFA i kishte ndarë për Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut për mbështetje dhe ndërtimin e një tribune në Ohër.

“Zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me Prokuroria Themelore Publike Shkup, e kanë privuar nga liria M.S., për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së.

Hetimi i këtij rasti është në vazhdim, derisa Prokuroria nuk ka dhënë informacione të mëtejme.

“Në kuadër të një rasti të hapur në Prokuroria Themelore Publike Shkup, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë si dhe nga Departamenti i Policisë Kriminalistike kanë privuar nga liria një person për shkak të veprimeve që ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim”, theksohet në njoftim.

Sejdini e kishte marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të RMV-së në vitin 2018. Ai u largua nga ky post në vitin 2024, duke dhënë dorëheqje.

Gjatë kohës kur Sejdini ishte në krye të Federatës së Futbollit, Maqedonia e Veriut arriti suksesin më të madh në historinë e saj duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Sa ishte në krye të këtij institucioni, Sejdini ishte sulmuar fizikisht në shtator të vitit 2024, nga disa persona me maska në një nga lokalet e Shkupit.