Lumir Abdixhiku kësaj radhe bëri një përparim të madh sa i përket paraqitjes së tij publike: nuk u rrëmbye nga shtysa e vetëdashurisë së paskaj duke ulëritur ‘o Lumir ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke…’.
Përveç këtij hopi jo të vogël për kryetarin e LDK-së, i cili e nguliti flamurin shtetëror në derë të shtëpisë së tij për ta bindur vetën se tashmë është bërë lider nacional, fjalimi i tij u karakterizua nga një retorikë krejtësisht bajate me shprehje të thata sikurse “LDK sot, LDK dje, LDK përgjithmonë” e me një lexim krejtësisht të çalë që buron nga thellësitë e një përpjekje të shtirur për t’u bërë lider karizmatik me çıkën e zorit, prej një kolumnisti nënmestar në faqet e venitura të makinerisë propagandistike të KOHA-s, dhe me një përmbajtje për të ardhur keq, krejtësisht të shkëputur nga realiteti politik.
Ai shkoi aq larg sa, para një salle të mbushur me krejt anëtarësinë e Kosovës, përfundoi duke deklaruar: ‘qytetarët e Kosovës pas çdo stuhie, kthehen prapë në LDK’.
Sa për kujtesë: qysh prej humbjes së zgjedhjeve të nëntorit 2007, LDK-ja nuk ka fituar asnjë garë të përgjithshme elektorale në Kosovë.
Megjithatë, duke qenë një politikan i cili përfitoi nga vala e davaritjes politike e shkaktuar nga banda e rrezikshme e Albin Kurtit, Lumir Abdixhiku nuk e ka të vështirë të jetojë në një realitet paralel me ç’rast të qenurit rehat me pikëpamjet e tij është shumë më e rëndësishme se të qenurit i bashkëlidhur me popullin në një betejë vendimtare për demokracinë.
Gjurma e ndikimit ideologjik të shefit të tij në Qeverinë Kurti 1, Albin Kurtit pra, mbase edhe pavetëdijshëm – u vërejt edhe tek slogani: ‘KREJT KOSOVA LDK’, si një riciklim i rrezikshëm i pretendimeve totalizuese alla VV: ‘KREJT dhe DREJT’, me idenë se gjithë populli i Kosovës duhet të gjejë një trupëzim politik në një subjekt të vetëm partiak.
Është diçka tjetër që LDK t’i përfaqësojë barabarësisht të gjithë qytetarët e Kosovës dhe është diçka krejtësisht tjetër që krejt Kosova të bëhet LDK.
Sidoqoftë, ky është një shtjellim shumë i ndërlikuar për një lider politik pa asnjë arritje politike deri më tani, si Lumir Abdixhiku, i cili është veçse fytyra e njomë e bandave të allishverishxhinjëve multimilionësh në industrinë e ndërtimit në krye me famëkeqin Rasim Mërlaku.
Fakti se ai qenëson në një realitet paralel u bë krejtësisht i dukshëm, kur, pasi e paraqiti vetën si kurorëzim të ëndrrave historike të etërve themeltarë të republikës së Kosovës, i falënderoi kryetarët e LDK-së të cilët ia paskan zbardhur fytyrën atij, LDK-së dhe krejt popullit të Kosovës.
Në këtë pikë, fjalimi i mbushur me frazeologji bajate shndërrohet në një ofendim neveritës për çdo qytetar të dinjitetshëm të këtij vendi.
Nëse Përparim Rama është trupëzim i ëndrrave të etërve themeltarë të Republikës së Kosovës, atëherë këtë vend e paska marrë lumi.
Ju kujtohet, dengje të rënda parash u derdhën skutave të errëta mediatike – sikurse, p.sh., në Kallxo-n e brand ambasadorës së GO+, Jeta Xhara – për ta paraqitur një njeri krejtësisht të hutuar dhe pa haber institucional si një arkitekt me famë botërore, për t’i dhënë Prishtinës një grimcë shprese pas viteve të errëta të qeverisjes më të keqe në historinë e kryeqytetit nga VV-ja e Shpend Ahemtit.
Paramendojeni. Ne, hapësirë për reklamim të partive politike kemi parë. Por, përkrahje publike me sponzorizim, këtë e gjeni veç te Jeta Xharra, që për shumë vite mashtureshëm u prezantua si gazetare.
Nejse, të kthehemi te Përparim Rama. Lista e premtimeve të tij megalomane sot është shndërruar në një damkë të pashlyeshme turpi jo vetëm në personalitetin e tij publik, por edhe në trashëgiminë politike të vetë LDK-së, përkatësinë në të cilën e mohonte si të ishte mëkat i dënueshëm religjioz vetë Përparim Rama.
Karakteristika kryesore e fjalës së tij në hapje të fushatës zgjedhore ishte zëvendësimi i llogaridhënies së prekshme me një lojë fjalësh e premtimesh të shkapërderdhura për ta fshehur dështimin kolosal në menaxhim të kryeqendrës.
Në një akt të thjesht dhelpërie, Përparim Rama iu shmang përgjegjësisë së drejtpërdrejtë duke paralajmëruar një platformë softëare-ike e cila do t’i dëshmojë gjithë gamën e madhe të punëve që e futën Prishtinën në shtegun e një transformimi kolosal. Derisa ai shkoi aq larg sa e cilësoi Prishtinën si një qendër e cila i ka lënë pas kryeqendrat tjera të Ballkanit Perëndimor, ia vlen t’ia kujtojmë tandemit Abdixhiku-Rama se deri në çfarë mase e kanë shpërdoruar votën e qytetarëve të kryeqytetit si të ishin kusarë të pangopur, duke mos përmbushur të gjitha këto premtime në zemër të programit të tyre paraprak:
- Ku është sheshi historik i Prishtinës, zgjerimi i shesheve ekzistuese dhe lidhja e tyre deri te Rrethi i Flamurit;
- Ku është ndërtimi i nënkalimit për qarkullimin e veturave nga Rrethi i Veternikut deri te Stacioni i Autobusëve;
- Ku është ndërtimi i unazës së mesme të Prishtinës, nga rruga e Veternikut deri te Qendra e Panaireve;
- Ku janë vendparkimet, parkingjet nëntokësore, nënkalimet, mbikalimet;
- Ku është përfundimi i parkingut nëntokësor te ndërtesa e AKP-së, duke e zhvendosur tregun e gjelbër mbi sipërfaqen e parkingut;
- Ku është ndërtimi i vendparkimeve për automjete përgjatë unazës së brendshme të qendrës, që përfshin rrugën “Agim Ramadani”, Bulevardin “Bill Clinton”, rrugën ‘Tirana’ dhe rrugën e UÇK-së;
- Ku është ndërtimi i parkingut nëntokësor te Posta Qendrore, duke ruajtur hapësirat e gjelbra;
- Ku është ndërtimi i parkingut nëntokësor në lagjen Dardania dhe ndërtimi i mbikalimit te Shkallët e Arbërisë;
- Ku është ndërtimi i nënkalimit që lidh Rrethin e Flamurit me rrethin e QKUK-së i cili do të ketë të përfshirë edhe një parking nëntokësor te hyrja e qytetit, në mes të tre rrethrrotullimeve;
- Ku është ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”, i cili do të mundësojë lidhjen organike të zonës së vjetër të qytetit me qendrën;
- Ku janë punimet në rrjetin e ujësjellësit në pjesën më të madhe të fshatrave të Gollakut, me krijimin e një depoje qendrore në Mramor dhe Rimanishte;
- Ku është ndërtimi i dy stacioneve të reja për zjarrfikësit;
- Ku është fillimi i punimeve për ndërmarrjen e riciklimit të mbeturinave të ngurta dhe organike;
- Ku është krijimi i tregut të ri për tregtarët dhe prodhuesit vendorë;
- Ku është rregullimi i shtratit të lumenjve për të siguruar mbrojtje nga ndotjet dhe përmbytjet.
Për shkak të mungesës së hapësirës, në këtë listë dështimesh nuk janë përfshirë edhe dhjetëra premtime të tjera që u bënë sa për mbaruar punën e neveritshme të plaçkitjes së votave nëpër lagjet e Prishtinës. Kjo gropë përbindëshe e keqqeverisjes në Prishtinë është faj ekskluziv i Lumir Abdixhikut e Përparim Ramës, të cilët që nga dita e tyre e parë në krye të eksperimentimit aventuror me një parti historike si puna e LDK-së, e kanë braktisur fushën e politikbërjes së përgjegjshme në këmbim të vetëstolisjes së vazhdueshme publike, marrëdhënieve të ngushta me grupe interesi dhe leximeve të kohëpaskohshme të fjalimeve të parashkruara kinse për njëfarë ringjallje të së djathtës në Kosovë.