Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka mbyllur dyert e Kuvendit dhe se gazetarët nuk po lejohen që të futen brenda.
Këto komente, Behrami i bëri përmes një postimi në Facebook, ku publikoi edhe një fotografi me Grupin Parlamentar të PDK-së, të cilët i kanë bërë ftesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë një seancë për në ora 11:00 për konstituimin e Kuvendit, derisa kanë paralajmëruar se e pranojë apo jo Dehari kërkesën e tyre, ata do të shkojnë në sallë.
“Ne jemi këtu, në Kuvend. Lërini instalacionet në hollin e Kuvendit, sepse nuk mundeni ta mbuloni tradhtinë që po ia bëni këtij shteti. Dyert janë të mbyllura, gazetarët nuk po lejohen të hyjnë brenda”, shkroi ai.
Këta, tha Behrami, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje, “i kanë okupuar të gjitha institucionet”. “Ka mbetur vetëm logon e Republikës ta zëvendësojnë me logon e VV-së. Por, ne nuk do ta lejojmë”.
Për këtë çështje ka reaguar edhe vetë PDK-ja. Ata kanë thënë se janë në Kuvend dhe i kanë kërkuar VV-së hapjen e legjislativit.
“PDK është në Kuvend dhe kërkon me vendosmëri rikthimin e rendit kushtetues në vend. Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Nga partia më e madhe opozitare i kanë rikujtuar Deharit se roli i tij si kryesues i seancës konstituive, sipas moshës, është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit”.
PDK vlerëson se nuk është në kompetencën e tij që, “mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”.
Kur opozita, me iniciativë të Aleancës, kërkoi që seanca konstituive e Kuvendit të mbahej më 7 gusht, ditën kur përfundonte afati kushtetues, dyert e sallës ku mbahen seancat plenare ishin të mbyllura.
Me iniciativë të VV-së, një seancë konstituive u thirr më 8 gusht, një ditë pas afatit, por as aty Albin Kurti nuk propozoi kandidat për Kryetar, ndonëse i ka votat për ta zgjedhur.
Ai kërkoi kohë shtesë për të arritur marrëveshje politike me partitë e tjera për formimin e të gjitha institucioneve, përkundër se moskonstituimi i Kuvendit në afatin e paraparë është shkelje kushtetuese.
Kjo kërkesë e Kurtit, iu aprovua menjëherë nga Dehari, i cili madje edhe e pranoi se e ka shkelur Kushtetutën me thirrjen e seancës pas afatit 30 ditor dhe se e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke mos e thirrur çdo 48 orë seancën, por që nuk i duk problematike pasi që tha se nuk ka sanksione.









