Xhelal Sveçla i vitit 2016 dhe Xhelal Sveçla i vitit 2026 duket se kanë standarde të ndryshme kur bëhet fjalë për përgjegjësinë politike dhe dorëheqjen pas një tragjedie.
Në vitin 2016, kur ishte pjesë e Komunës së Prishtinës, Sveçla kishte njoftuar kryetarin e atëhershëm të partisë, Shpend Ahmetin, për dorëheqjen e tij, duke e argumentuar se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqje dhe se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen pasi në Kolovicë të Prishtinës kishte ndodhur një tragjedi e rëndë kur në një gropë të hapur në një pronë private, humbën jetën dy fëmijë të familjes Mramori, Florenta 13 vjeçe dhe Florenti 11-vjeçar.
Ai atëkohë thoshte se, përveç standardeve të reja të qeverisjes, ishte e nevojshme të vendoseshin edhe standarde të reja të udhëheqjes së shoqërisë.
“Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqje dhe unë personalisht duhet t’i dëgjoj”, deklaronte Sveçla në vitin 2016.
Por, dhjetë vjet më vonë, qëndrimi i tij duket krejtësisht ndryshe.
Pas protestës së organizuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, ku u kërkua edhe dorëheqja e tij, Sveçla deklaroi se largimi nga pozita nuk do të kontribuonte në fuqizimin e gruas dhe mbrojtjen e të drejtave të saj.
Madje, ndonëse tha se ishte bashkë me protestuesit dhe e kuptonte indinjatën e tyre, ministri u arsyetua se institucionet po punonin për përmbushjen e kërkesave sipas ligjit.
“Unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj”, deklaroi Sveçla në vitin 2026.
Kështu, standardet e udhëheqjes që Sveçla i kërkonte në vitin 2016, dhjetë vjet më vonë nuk duket se i zbaton për veten e tij.









