Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rënia heroike e rreshterit Afrim Bunjaku, ngriti Kosovën edhe brenda, por edhe në aspektin ndërkombëtar, për shkak se, siç thekson ai, u tregua se Kosova i del zot vetvetes.

Këto komente, Kurti i ka bërë pas homazheve te varri i heroit Afrim Bunjakut. Rreshteri i Policisë së Kosovës u vra mëngjesin e 24 shtatorit të vitit 2023, në sulmin e paramilitarëve serbë, të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, ndaj policisë kosovare në Banjskë të Zveçanit.

“Rënia heroike e Afrim Bunjkaut nuk ishte e kotë, ishte një rënie e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur, edhe së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar se kemi të bëjmë me një shtet i cili i del zot vetvetes dhe i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje faktorëve ndërkombëtar që të mos e konsiderojnë Serbinë “shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radojiçiç dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar e Presidenti atje, Aleksandër Vuçiç”.

Kurti foli edhe për aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për këtë rast.

“Aktakuza përfshin 45 persona, këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre”, shtoi.

Por në të njëjtën kohë, ai vlerëson se “duhet të theksojmë edhe faktin tjetër që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Aty u vranë tre terroristë. Tre terroristë sot janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e faktorëve ndërkombëtar, me ndihmën e shteteve demokratike që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen para drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in, edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe, dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe do të marrin dënimin meritor”.