Këto në pamje janë dy akte krejt të njëjta opozitare.
Po goditen me vezë kryeministrat e Kosovës, nëpër vite të ndryshme.
Por tek të dyja pamjet, në të njëjtën kohë ka edhe diçka krejt të kundërt. Reagimi i atyre që po sulmohen.
Përveç që për gjuajtjen me vezë të Time Kadriajt, ndaj Albin Kurtit, çohet e gjithë Vetëvendosja në këmbë, asaj përpara duke e shtyrë dhe duke e kapur për duarsh në mënyrë krejt brutale i del deputeti i pushtetit, Valon Hoti.
Përderisa mbrapa në kohë, sulmit me vezë të Vetëvendosjes, as nuk i reagonte vetë Kryeministri, Isa Mustafa, teksa me buzëqeshje e përcillte atë botë zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, e natyrisht asnjë deputet nga partitë e tyre e as kabineti, nuk ishte në këmbë.
Se Vetëvendosja nuk e duron as minimalen e akteve të opozitarizmit, u dëshmua në një tjetër rast kur Kurtit e Bislimit po i hidhej veç ujë në Kuvend.
As vezë, as gaz lotsjellës, as gurë, por veç ujë, kur në pah doli se shefja e grupit parlamentar të VV-së, kordinohej në telefon me kryekriminelin Milan Radoiçiç.
Si skifter nisej akoma pa ndodhur akti, Hekuran Murati me një dosje dokumentesh në dorë, në mbrojtje të liderit..
Përderisa Bislimi, me shishe gjuante në drejtim të deputetit opozitar.
E si shqiponjë me krahë të hapur, më shumë e lëndonte kryeministrin e tij, sesa e mbronte, Armend Muja.
Rrahja u shndërrua në masive, për ta shkaktuar më pas, ndoshta një nga pamjet më të shpifura që mbuloi ballinat ndërkombëtare.
Por a e dini çfarë ndodhte kur pushteti i atëhershëm sulmohej me ujë e vezë, e të dyja bashkë, nga Albin Kurti e Vetëvendosja?
Ata vazhdonin fjalimet normalisht, si ky rast i Xhavit Halitit, i fokusuar në letër, sikur përreth tij nuk po ndodhte asgjë e pazakontë.
Krejt shpërfillës ndaj tyre, qëndronin deputetët e pushtetit në të kaluarën, kur Albin Kurti hidhte edhe gazlotsjellës në Kuvend…
E edhe kur i sulmonte fizikisht me trup sigurimin e Kuvendit, edhe kur në sy ia drejtonte Mustafës gazin, prapë asnjë reagim me sulm nga deputetët e atëhershëm, të mazhorancës.
Jo veç përballjen fizike, Vetëvendosja në qejf e ka edhe provokimin, secilën herë që opozita tenton ta bëjë atë për çka është e thirrur, pra opozitën.
Si këtë ditë në Kuvend, ku pushteti u hynte përmes në aktivitetin e tyre, deputetëve opozitarë, duke i nxitur deri në përplasje.
Është gati e pashpjegueshme pse këta njerëz e kanë problem të heqin dorë nga provokimi, sulmi e dhuna si në opozitë, ashtu edhe në pushtet.
Pra, nuk është se Vetëvendosja nuk e di çka është opozitarizmi. E di shumë mirë. E ka bërë vetë. Me vezë, me ujë, me gaz, me gurë, me përplasje e edhe me dhunë.
Ndaj policisë, ndaj deputetëve, ndaj ministrave, kryeministrave e institucioneve.
Por siç duket, i tyre nuk ka qenë opozitarizëm, por mllef ndaj shtetit. Një shtet që dikur e quanin të përkohshëm, e protestonin me të njëjtat mjete edhe kundër tij.








