Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se dy spitale në qytetin e Gazës kanë dalë jashtë funksionit për shkak të përshkallëzimit të ofensivës izraelite dhe dëmeve nga bombardimet e vazhdueshme.

Tanke izraelite kanë avancuar më thellë në territorin e Qytetit e Gazës.

Në një deklaratë, ministria tha se Spitali Pediatrik Al-Rantissi është dëmtuar rëndë nga një bombardim izraelit disa ditë më parë. Raportohet se sulmet pranë Spitalit të Syrit detyruan pezullimin e shërbimeve edhe atje.

“Okupatori synon në mënyrë të qëllimshme dhe sistematike shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës, si pjesë e një politike gjenocidale ndaj këtij territori,” thuhet në deklaratën e ministrisë.

Sipas njoftimit, “asnjë nga institucionet apo spitalet nuk ka rrugë të sigurta për të mundësuar mbërritjen e pacientëve apo të plagosurve.”

Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende ndonjë koment lidhur me këto pretendime.