Nga një retorikë që e ushqente në opozitë, nëpër fushata e beteja politike, Albin Kurti shpesh nuk ka nga të ikë prej tregimit se Kosova është një “rrugëtim suksesi i shtetndërtimit pas luftës”.


Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – “KosovaPAR 2025”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati fjalë të mira për atë se çfarë është bërë pas luftës.


“Gjatë këtyre 25 viteve, në Kosovë ka ndodhur një proces i veçantë i shtetndërtimit, i pashembullt ndokund tjetër apo ndonjëherë tjetër. Raportet e fundit të organizatave si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, organizata GAP e të tjera dëshmojnë se Kosova është një rast suksesi i shtetndërtimit pas një lufte të tmerrshme”, ka deklaruar ai.


E merita i ka dhënë edhe qeverisë që ai drejton – e cila tash e sa muaj në fakt është vetëm në detyrë.


“Gjatë këtyre katër viteve të fundit, qeveria që unë udhëheq ka ndërmarrë reforma të thella në të gjithë sektorët, në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë edhe të qëndrueshme në kohë për të ardhmen, por edhe të pakthyeshme, pra që të pamundësojnë hapa prapa,” tha Kurti.

Por kjo qasje e Kurtit është ndryshme nga ajo që vet ai dhe eksponentë të partisë së tij e shpërndajnë në fushata, studio televizive.


Në vitin 2019, në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, Kurti kishte shkruar se për 20 vite Kosova kishte ngelur një shtet i dobët.


“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, kishte shkruar Kurti.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli – që tash në pushtet familjarët e saj marrin fonde nga shteti – fliste për një vjedhje 20-vjeçare.
Në vitin 2021, ajo kishte shkruar se “për 20 vite Kosova është vjedhur”.


“20 vjet e kanë vjedh dhe e kanë mjelë këtë shtet e po lypin nga Qeveria Kurti për 9 muaj me e ngrit në këmbë. Për mos me ardh në këtë ditë është dasht me punu me mish e me shpirt për këtë vend e jo me e vjedh e milionat e tyre me i mbajt offshore. Të kishte pasur shteti ynë rezerva veç sa kanë disa individ (ish pushtetarë e bashkëpunëtorë të ish-pushtetarëve) pasuri, ndryshe do të ishim sot. S’ka rrymë, sepse e kanë shit dhe e kanë vjedh. Po të kishim punuar mirë e mbarë për 20 vjet, sot Kosova do të ishte në gjendje të furnizonte shtetet e rajonit me rrymë e jo të mbetej vet pa të. S’ka rrymë, sepse ish pushtetarët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kanë hangër deri në palcë këtë vend”, kishte shkruar Pacolli./VOXKOSOVA