Sulmi brutal i Vjosa Osmanit, dhe më i madhi që i është bërë Gjykatës Kushtetuese prej themelimit të saj, ka dy qëllime të errëta që, për nevojat e saj personale, mund ta çojnë shtetin përfundimisht në kolaps.
Duke dalë në konferencë për media vetëm tri ditë para se Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për përcaktimin e të ardhmes institucionale e politike të Kosovës, ajo kërkon delegjitimimin e Gjykatës para nxjerrjes së vendimit.
Kjo ka kuptim vetëm nëse Presidentja tashmë e di që nuk do t’i pëlqejë vendimi.
Një situatë e tillë e përgatit terrenin që çdo vendim që mund të merret më 8 gusht të kontestohet, të delegjitimohet dhe të mos zbatohet.
Në këtë version, pavarësisht kontradiktave në dukje, politika e saj është krejtësisht komplementare me atë të VV-së.
Dhe qëllimi i dytë i Osmanit është detyrimi i gjyqtarit që të japë dorëheqje ose të shkarkohet nën presion të Presidentes dhe presion publik, rrethanë kjo që lë Gjykatën me vetëm 6 anëtarë.
Kështu, Gjykata bllokohet, se s’ka kuorum, derisa Parlamenti veçse nuk është funksional.
Në këtë situatë, shteti do të mbetet në bllokadë të plotë institucionale.
Kuvendi nuk mund të konstituohet pa vendim të Gjykatës, ndërsa Gjykata nuk mund të vendosë pa konstituim të Kuvendit, sepse vetëm Kuvendi i funksionalizuar mund të zgjedhë gjyqtarë të rinj dhe të plotësojë kuorumin e Gjykatës.
Kjo bllokadë e plotë kushtetuese do t’i krijonte potencialisht hapësirën Presidentes që të shpallë zgjedhjet edhe në mënyrë jokushtetuese.
Deri në konstituimin e Kuvendit të ri, do të kalonte afati 30-ditor për të dërguar në Gjykatë Presidenten për shkelje të Kushtetutës, nëse ajo veç i shpall zgjedhjet.
Në një skenar alla-Vetëvendosje, ajo mund të shkojë edhe aq larg sa ta mbajë detyrën pavarësisht afateve kohore kushtetuese.
Sa djallëzor duhet të jetë dikush që, ekskluzivisht për karrigen e pushtetit, ta çojë gjithë shtetin buzë greminës nga e cila nuk rikuperohet dot?
Sa i papërgjegjshëm, sa jokokëçarës, sa pervers në dëshirën e pashtershme për të qëndruar në pushtet duhet të jetë dikush që të luajë jo veç me fatin e shtetit, jo veç me fatin e qytetarëve aktualë, por me vetë trashëgiminë e gjakut të derdhur?
Kjo situatë do të duhej të na vetëdijesonte të gjithëve se s’ka vendim më të rëndësishëm sesa kur e zgjedh atë që e dëshiron në pushtet, sepse njerëz si këta përpjekjen qindra-vjeçare ta përmbysin në pak sekonda.








