Në javën kur nisi fjala përfundimtare e palëve në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë për pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në të njëjtën ditë, më 12 shkurt, edhe Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.
Një ditë më pas, më 13 shkurt, një grup i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kryesisht të Bashkimit Demokratik për Integrim, dorëzuan në procedurë parlamentare Propozim-Rezolutën për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Deklarata për pafajësinë e krerëve të UÇK-së, që u hartua nga deputeti i Partisë Socialiste, Igli Hasani, dhe ai i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, u mbështet unanimisht nga të gjitha partitë politike në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, pati konsensus të plotë si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
Në Kosovë, rezoluta për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serb.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë fare në votim. Ata fillimisht e mbështetën, por kërkuan që të futet edhe një pikë tjetër që kishte të bënte me vrasjet politike, por që u refuzua për shkak se, siç tha deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, rezoluta nuk është e hartuar nga PDK-ja, por nga një grup prej rreth 300 profesorëve.
Pro kësaj rezolute votuan 90 deputetë. Vetëm një deputet votoi kundër – Fatos Geci i VV-së. Abstenime nuk pati.
Sa i përket rezolutës në Maqedoni të Veriut, ende nuk dihet nëse do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar. Nga koalicioni VLEN – që janë përfaqësues të shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut – s’kanë dhënë qëndrim të qartë nëse do ta mbështesin deputetët e tyre me votë apo jo.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën finale. Nga e hëna kanë nisur fjalët përfundimtare të palëve. Fillimisht qëndrimet përfundimtare i ka paraqitur Prokuroria, e cila kërkoi nga 45 vjet burg për secilin nga krerët e UÇK-së, e më pas mbrojtësi i viktimave.
Pas tij, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, ajo e Kadri Veselit dhe e Rexhep Selimit. Ajo e Jakup Krasniqit ka filluar të premten dhe pritet që të përfundojë të hënën.
Ndërsa, më 18 shkurt, në ditën e fundit të paraqitjes së qëndrimeve finale, fjalët përfundimtare do t’i thonë edhe katërshja e UÇK-së. Ata do t’i kenë nga 20 minuta në dispozicion.
Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte.









